Celibashi: Procesi i numërimit po zhvillohet normalisht, rezultatet përfundimtare priten …
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, reagoi nga ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës në lidhje me një denoncim të Partisë Demokratike mbi dyshimet për manipulim votash në KZAZ nr. 40, përmes asaj që njihet si fenomeni i “trenit bullgar”.
“Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale. Është rasti për të pasur atë fokus që duhet, për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij rasti, nëse provohet se ka ekzistuar fenomeni i ‘trenin bullgar’, i futjes së fletëve të votimit nga jashtë dhe nxjerrjes së fletëve të vërteta te ai që ka sponsorizuar këtë gjë.” tha Celibashi.
Ai theksoi se transparenca është prioriteti i KQZ-së dhe çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitetin maksimal në bashkëpunim me organet hetimore.
“Është një punë që zhvillohet në stres, në prani të kandidatëve politikë, vëzhguesve dhe mediave. Megjithatë, procesi është duke shkuar normalisht. Deri në fund të javës do të kemi dhe rezultatet e votimit nga jashtë, që do t’i bashkëngjiten rezultatit brenda vendit,” tha ai.
Celibashi konfirmoi gjithashtu se brenda fundit të kësaj jave priten të përfundojnë edhe rezultatet e votimit nga jashtë shtetit, të cilat do t’i bashkohen rezultatit përfundimtar të brendshëm.