Celibashi: Platformat e KQZ u sulmuan gjatë zgjedhjeve të 11 majit, sulmet ishin kibernetike, të organizuara dhe nga jashtë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë publike një deklaratë të rëndësishme mbi sigurinë e sistemeve teknologjike të KQZ-së gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.

Sipas tij, platformat digjitale të institucionit, përfshirë edhe atë të regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit, janë gjendur nën sulme të vazhdueshme kibernetike.

“Platformat e KQZ, duke filluar nga ajo e regjistrimit të votuesve nga jashtë, janë gjendur nën sulme kibernetike.

Kemi pasur komunikim me institucionet përkatëse të sigurisë kibernetike dhe organet që ndjekin ligjërisht këto raste. Sulmet janë identifikuar sa herë janë evidentuar, dhe janë ndërmarrë hapat e nevojshëm,” tha Celibashi.

Ai theksoi se sulmet nuk ishin të natyrës diletanteske apo sporadike, por të organizuara, të sofistikuara dhe të krahasueshme me sulmet që kanë përjetuar edhe vende si Franca apo Estonia gjatë periudhave zgjedhore.

“Sipas informacionit që kemi, këto sulme kanë ardhur nga jashtë vendit dhe nuk kanë qenë të rastësishme. Ato kanë pasur karakter të organizuar dhe janë të ngjashme me rastet e sulmeve në vende të tjera evropiane në situata zgjedhore të ndjeshme,” u shpreh Celibashi.

KQZ aktualisht është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë për të hetuar më tej burimet dhe natyrën e këtyre sulmeve.

Ai garantoi se pavarësisht këtyre përpjekjeve për ndërhyrje, procesi zgjedhor është zhvilluar pa probleme të mëdha që do të cënonin integritetin e tij.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)