Celibashi për votën e emigrantëve: Fleta do t’i dorëzohet vetëm votuesit, jo familjarëve

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka dhënë detaje të reja për procesin e votës së diasporës, duke theksuar se fleta e votimit do t’i dorëzohet vetëm votuesve dhe jo familjarëve të tyre. Celibashi sqaroi se fleta e votimit do t’i dorëzohet personalisht zgjedhësit, dhe në rast se ai nuk është në adresën e tij, pas katër tentativave për dorëzim, fleta do t’i rikthehet KQZ-së.

Ai gjithashtu siguroi se procesi i dorëzimit do të monitorohet në kohë reale, si përmes shërbimit postar, ashtu edhe nëpërmjet sistemit PER. Përsa i përket fshehtësisë së votës, Celibashi garantoi se çdo votues do të marrë fletën e votimit në dorë, duke shmangur mundësinë e manipulimeve, siç mund të ndodhte me votimin familjar apo në prani të përfaqësuesve të partive politike.