Celibashi paralajmëron kandidatët për listat e hapura: Nuk do të lejojmë trafikimin e votave, kemi pamjet filmike
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka dhënë një mesazh të qartë për kandidatët e listave të hapura, duke paralajmëruar se nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për manipulim të votave.
Ai siguroi se KQZ ka marrë të gjitha masat për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe se çdo shkelje do të ndëshkohet.
Celibashi theksoi se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët e listave të hapura po monitorohet me pamje filmike dhe se çdo mospërputhje midis rezultatit të regjistruar dhe asaj që shfaqin këto pamje do të pasohet me përgjegjësi penale për numëruesit apo komisionerët përgjegjës.
Ilirjan Celibashi: Komunikim për kandidatët për deputet në ‘Listën e Hapur’. Nisur nga disa shqetësime për integritetin e numërimit dhe vlerësimit të votave parapëlqyese, siguroj që KQZ ka marrë të gjitha masat organizative, njerëzore dhe ato teknike për të mos lejuar ‘trafikimin’ e votave për kandidatët e ‘listës së hapur’ të çdo subjekti.
KQZ ka regjistruar dhe ka pamjet filmike të procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për partitë politike dhe koalicionet.
Nëse në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët në ‘listën e hapur’ do të konstatohen mospërputhje tek çfarë rezulton në pamjet filmike me atë çfarë do të rezultojë në procesin e vlerësimit të votave për kandidatin, atëherë numëruesit apo komisionerët përgjegjës për këtë rast do të përgjigjen penalisht për shkeljen e rëndë të integritetit zgjedhor.