Celibashi mesazh anëtarëve të grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve: Cenimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” sjell pasoja ligjore!

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka dalë me një mesazh të fortë për anëtarët e grupeve të numërimit të votave dhe të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), duke kërkuar respektimin rigoroz të ligjit dhe udhëzimeve të KQZ-së gjatë procesit të numërimit.

Celibashi paralajmëroi se cenimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.

“Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:

Cenimi i votës së çdo kandidati në listën ‘e hapur’ përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.

Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët në listën ‘e hapur’.

Ligji përcakton qartë se fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët.

Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ,” shprehet komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.