Celibashi komenton postimin e Ramës me emigrantët që morën fletën e votimit: Fotoja s’është bërë nga Kryeministri, s’ka…
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar në lidhje me postimin e bërë nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi në rrjetet sociale një foto të një familjeje shqiptare emigrante që kishte marrë zarfin me fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Celibashit, fotografia nuk është realizuar nga Kryeministri, por nga vetë familja e emigrantëve, e cila më pas e ka postuar në rrjete sociale. Ai theksoi se publikimi i tillë është pozitiv dhe inkurajues për qytetarët e tjerë që janë në pritje të fletëve të votimit.
“Jam i sigurt që s’e ka bërë Kryeministri. E kanë bërë vetë ata votuesit. E kanë postuar vetë ata. Kjo në fakt është pozitive sepse është inkurajuese për votuesit që presin. Ka pasur skepticizëm,” – u shpreh Celibashi.
Duke shtuar se në këtë rast nuk ka shkelje ligjore, ai tha: “Ajo nuk është vota, por evidentimi i faktit që ka mbërritur fleta. E ka publikuar familjari aty sepse nuk besoj se ka shkuar vetë Kryeministri i ka bërë foto asaj familjes. Kryeministri e ka përdorur, është punë e tij, e ka konsideruar se ka benefit për të nga pikëpamja elektorale, a e ka konsideruar që ky proces u realizua.”
Celibashi përfundoi duke thënë se edhe vetë KQZ mund ta kishte publikuar apo ripostuar një foto të tillë në rrjetet sociale të institucionit.