Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të mos miratojë dy projektligjet për paketën e maleve dhe për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), duke argumentuar se miratimi i tyre nuk respekton kërkesat e Kodit Zgjedhor.
Në një reagim në rrjetet sociale, Celibashi thekson se miratimi i këtyre projektligjeve gjatë periudhës zgjedhore bie në kundërshtim me parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore, duke rrezikuar të ndikojë tek elektorati përmes ndryshimeve në politikat fiskale dhe ekonomike.
“Sot në seancën publike konstatova se miratimi i dy projektligjeve, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar’ dhe projektligjit ‘Për paketën e maleve’, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
Ky vendim bazohet në parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore, me synimin për të shmangur çdo ndikim të mundshëm mbi elektoratin përmes ndryshimeve në politikat fiskale apo ekonomike,” shkruan Celibashi.
Ai thekson se miratimi i projektligjeve që prekin politika të rëndësishme fiskale mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për përfitime elektorale. Për këtë arsye, kreu i KQZ-së i kërkon Kuvendit të mos i shqyrtojë këto projektligje në seancë plenare.