Celibashi: 55.519 vota të pavlefshme nga diaspora, 9 kuti të parregullta. Mungojnë zarfet B në shumicën e rasteve
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka zbuluar disa parregullsi serioze në votat e ardhura nga diaspora, gjatë një konference për mediat në Parkun Olimpik ku po vijon numërimi i votave të emigrantëve.
Sipas tij, janë regjistruar 55.519 vota të pavlefshme në total, ndërsa 9 kuti votimi janë cilësuar si të parregullta për shkak të dokumentacionit të paplotë ose të pasaktë që ka ardhur nga jashtë. Celibashi sqaroi se në shumicën e këtyre rasteve mungojnë zarfet B, të cilat janë të domosdoshme për të garantuar vlefshmërinë e votës.
“Ka dokumentacion që ka ardhur nga jashtë, por është i parregullt. Në 99.99% të rasteve mungojnë zarfet B që ne kemi dërguar, sepse një pjesë e votuesve kanë dërguar vetëm zarfin A,” tha Celibashi, duke theksuar se disa votues nga jashtë e kanë futur zarfin A direkt në zarfin e DHL-së, duke anashkaluar kështu zarfin B që garanton anonimitetin e votës.
Për këto raste, KQZ po mban procesverbale manualisht dhe në fund të procesit, të dhënat për këto vota do të reflektohen në sistem.