Çelet faza e tretë e bashkëpunimit Shqipëri–Gjermani në fushën e sigurisë, nis zyrtarisht projekti SCOPE III

Ka nisur zyrtarisht projekti SCOPE III, duke shënuar një fazë të re në partneritetin strategjik ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane, me synim forcimin e kapaciteteve policore dhe rritjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Projekti u prezantua në një takim zyrtar mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Shefit të Departamentit të Luftës kundër Kriminalitetit në Policinë Federale Gjermane, Mathias Schaef, i cili është gjithashtu drejtues i këtij projekti.

Gjatë fjalës së tij, drejtori Proda theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë: Në drejtimin e z. Schaef, projektet SCOPE I dhe II kanë sjellë rezultate konkrete dhe ndikim të drejtpërdrejtë në profesionalizimin dhe transformimin e strukturave tona. Nisja e fazës së tretë është konfirmim i një besimi të ndërsjellë dhe i një partneriteti strategjik që i kalon kufijtë teknikë.

Projekti SCOPE III parashikon:

-Dixhitalizimin e trajnimeve,

-Zbatimin e inteligjencës artificiale,

-Ngritjen e strukturave shkencore rajonale,

-Shkëmbimin e hetuesve,

-Forcimin e sigurisë kibernetike,

-Si dhe përfshirjen e Policisë së Shtetit në rolle udhëheqëse në kuadër të platformës EMPACT (platformë europiane kundër kërcënimeve të krimit të organizuar).