CDU gjermane dënon mosbindjen civile të PD! Gunther Krichbaum: Aktet e dhunës të papranueshme
Një ditë pas dhunës së PD në protestën e mbrëmshme, ka reaguar ashpër, një nga partitë kryesore të PPE. CDU-ja gjermane me një gjuhë të qartë e ka konsideruar Sali Berishën si fajtor për frymëzimin e dhunës në protestën e 7 tetorit në Tiranë.
Gunther Krichbaum, zëdhënësi për çështjet evropiane të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, nënvizon se çdo akt dhune është krejtësisht i papranueshëm dhe tërësisht i padenjë për një vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Në deklaratën e tij, Krichbaum vë në pah përgjegjësinë e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të cilin thotë se për akuzat për të cilat është marrë i pandehur ai duhej të ishte në burg dhe jo në arrest shtëpie.
Demonstratat paqësore kundër veprimeve të një qeverie janë normalitet në një demokraci. Megjithatë, aktet e dhunshme janë plotësisht të papranueshme dhe tërësisht të padenja për një kandidat për anëtarësim në BE. Nëse Berisha ende ka një fije besueshmërie, ai duhet të distancohet menjëherë nga ky lloj proteste dhe të përjashtojë dhunuesit nga partia. Fatkeqësisht, ekziston dyshimi se Berisha po i nxit këto protesta.
Në të kaluarën, PD ka qenë një parti që mbështetej në vlerat evropiane. Për fat të keq, është larguar gjithnjë e më shumë nga këto vlera. Me të drejtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe grupi parlamentar i CDU/CSU në Bundestag mbajnë distancë nga kjo parti opozitare dhe veçanërisht nga kryetari i saj, Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpiak.
Kjo është arsyeja pse ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse partia ka fuqinë për t’u rinovuar. Ajo ka nevojë për një figurë të ndershme në krye. Ashtu siç një demokraci ka nevojë për një qeveri të fortë, ajo ka nevojë edhe për një opozitë të fortë. Përpjekja për të paraqitur konceptet dhe argumentet më të mira duhet gjithmonë të ndodhë pa dhunë.
Fakti që kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, është në masë të madhe përgjegjësi e zotit Berisha. Ai nuk duhet të paraqitet si një viktimë e një procesi të supozuar të motivuar politikisht. SPAK-u, që e ka vendosur atë në arrest shtëpiak, është përtej çdo dyshimi. Në fund të fundit, SPAK-u u krijua nën presionin e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave, Berisha do të ishte vendosur në paraburgim në çdo shtet të BE-së dhe jo në një arrest shtëpiak të rehatshëm, thuhet në deklaratë.
Lidhur me arrestin shtëpiak të Berishës, Krichbaum theksoi se SPAK është një institucion i pavarur dhe i besueshëm, krijuar nën presionin e Bashkimit Evropian, dhe se akuza ndaj Berishës është serioze. Sipas tij, në çdo shtet të Bashkimit Evropian, një politikan me akuza të tilla do të ishte në paraburgim dhe jo në arrest shtëpie komod. Krichbaum theksoi se “Berisha nuk duhet të paraqitet si viktimë e një procesi të motivuar politikisht, por duhet të përballet me akuzat ndaj tij”.
Në përfundim, Krichbaum deklaroi se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse Partia Demokratike do ta ketë forcën e nevojshme për t’u rinovuar dhe për të rifituar besimin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Mosbindje civile kundër qeverisë Rama
Protestat që filluan të hënën në Tiranë janë organizuar nga opozita e djathtë, veçanërisht përkrahësit e Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Protestat janë përshkallëzuar në dhunë, me disa protestues që kanë hedhur kokteje Molotov ndaj ndërtesave qeveritare, përfshirë selinë e Partisë Socialiste dhe Ministrinë e Brendshme.
Shkaku kryesor i këtyre protestave lidhet me akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së Ramës, si dhe me arrestimin e deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, të cilin opozita e konsideron një akt politik të motivuar nga hakmarrja. Opozita gjithashtu kërkon lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak, ku ndodhet për akuzat e korrupsionit. Berisha u vu në arrest shtëpie dhjetorin e kaluar, ndërsa hetohej për një ligj që thuhet se i dha dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, përfitime financiare në një projekt ndërtimi. Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i mohojnë akuzat, duke pretenduar se janë viktima të një hakmarrjeje politike. Pavarësisht hetimeve, Berisha rimori drejtimin e Partisë Demokratike dhe në korrik u konfirmua nga një gjykatë në Tiranë, si kryetari i saj.
BURIMI: DW