“Catalunya Press” vlerëson plazhet shqiptare


Media spanjolle rendit plazhet më të bukura dhe vendet historike që duhen vizituar

Vendi ynë ka shënuar një rritje në fushën e turizmit, falë interesit të shtuar të turistëve të huaj, por edhe vëmendjes që mediat ndërkombëtare po japin përmes shkrimeve të tyre promovuese.

Ato që ofron Shqipëria për udhëtarët e huaj nuk u lanë pa përmendur as nga mediat spanjolle, vend tashmë i cilësuar si elitar në fushën e turizmit.

Këtë herë është revista spanjolle “Catalunya Press” e cila rekomandon 5 destinacione të përballueshme në Evropë për të gjithë ata udhëtarë që kërkojnë diversitet dhe pasuri kulturore pa sakrifikuar shumë nga buxheti i tyre.

Pjesë e kësaj liste është edhe Shqipëria, e cila shquhet për ndërthurjen unike të plazheve parajsore me një trashëgimi të pasur historike.

Në këtë artikull theksohet se vendi ynë ofron një shumëllojshmëri destinacionesh që premtojnë një eksperiencë të paharrueshme për udhëtarët që kërkojnë relaksin në bregdet dhe aventura të reja.

Për ata që janë të interesuar për plazhet rekomandohen ato të Durrësit, Golemit, Dhërmiut dhe Ksamilit. Revista spanjolle i përshkruan plazhet e Dhërmiut me ato të Karaibeve ndërsa për Ksamilin thotë se ofron pamje mahnitëse falë ujërave të kristalta.

Ndërsa për të apasionuarit pas historisë ka vende të shumta historike si Kalaja e Gjirokastrës, Shtëpia e Zekatëve, Amfiteatri i Durrësit dhe Kalaja e Himarës.