Më shumë se 15 mijë m/3 ujë u shkarkua nga ujëmbledhësi i hidrocentralit të fshatit Sasaj, në zonën e Bunecit për shkak të çarjes së digës. Reagimi ishte i menjëhershëm nga ana e Bashkisë së Himarës, që po monitorojnë dhe po punojnë për kalimin e kësaj situate.
Në ndihmë për hapjen e rrugës shkuan edhe zjarrfikësit e Himarës, pasi një çift turistësh të huaj me dy fëmijë mbetën të bllokuar në këtë zonë. Tashmë është ngritur dhe komisioni i konstatimit dhe evidentimit të dëmeve dhe filloi puna duke inspektuar e parë nga afër të gjitha subjektet e dëmtuara.
Strukturat e Bashkisë Himarë me përfaqësues nga sektori i emergjencave, Drejtoria e Bujqësise, Pyjeve, Kullotave dhe Ujitjes, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, koordinuan punën në terren me mjete motorike për zhbllokimin e urave me qëllim largimin e tyre nga bizneset dhe banesat. Në një kohë të shkurtër u bë i mundur largimi i inerteve dhe mbeturinave të tjera në disa ura.
Nga konstatimi në vend i dëmeve rezultoi se 2 subjekte kanë demtime mbi 90%, 3 te tjera në mbi 30% por dhe subjektet e tjera kane dëme si në infrastrukturën e jashtme ashtu edhe në atë të brendeshme. U mundësua ardhja e një mjeti (skrep) më të madh që të ndërhyhet në hapjen e grykëderdhjes së lumit në det dhe devijimin e ujit në shtratin natyral.
Bashkia Himarë është e përkushtuar dhe do u gjendet pranë banorëve për të kthyer në gjendjen e mëparshme zonën e dëmtuar por dhe do të ofrojë ndihmesë brenda të gjitha mundësive që lejon ligji për dëmshpërblimet.
View this post on Instagram