Çamçakëz që sillte përgjumje, policia nis hetimet për substancën e përdorur në shkollë

Një mësuese në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë ka lajmëruar prindërit e nxënësve të një klase, pasi është identifikuar një substancë që ka formën e një çamçakëzi dhe që përdorej nga disa nxënës.

Mësuesja ka konstatuar se nga përdorimi i këtij “çamçakëzi” fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje dhe është e dëmshme. Pas denoncimit në rrjete sociale, Policia ka nisur menjëherë verifikimet se për çfarë bëhet fjalë.

REAGIMI I POLICISE:

Në lidhje me një lajm të publikuar ditën e sotme, në disa media dhe portale, në të cilin thuhet se në një shkollë në Tiranë, është evidentuar rasti i përdorimit të një çamçakëzi që përgjum fëmijët, ju informojmë se:

Shërbimet e Policisë menjëherë pas publikimit kanë marrë kontakte me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të të gjitha shkollave të Tiranës, dhe po ushtrojnë kontrolle për verifikimin e rastit në fjalë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë menjëherë Policinë në rast konstatimi të këtyre substancave.

Vijon puna për sqarimin e rrethanave të këtij rasti të publikuar.