Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, ka folur sot gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS për përfshirjen e saj në dosjen e hetimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ajo u shpreh se ka mësuar nga media lajmin se është person nën hetim nga SPAK.
“Faleminderit që më dhatë mundësinë të shprehem para jush. Përfshirja e emrit tim është një lajm që e kam mësuar nga mediat përmes një deklarate të SPAK. Si person që i ka dedikuar jetën ligjit, kam punuar me dinjitet dhe besim te institucionet e reja të drejtësisë. Partia Socialiste, si maxhorancë udhëheqëse, ka fituar besimin duke na çliruar nga çdo pengesë,” tha Bushka.
Ajo shtoi se ka një njohje të hershme me bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, dhe një miqësi të gjatë me kryebashkiakun.
“Ajolën e njoh prej kohësh, para se të isha deputete, dhe kam bashkëpunuar me të. Erioni është miku im i fëmijërisë dhe kjo lidhje më ka bërë të përjetoj gjithë kalvarin e muajve të fundit. Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës dhe gjithmonë kam përcjellë mesazhin për besim te drejtësia,” tha Bushka.
Sipas saj, pas kontrolleve të banesave të disa të njohurve të saj, ka marrë sinjale se disa prej tyre janë ndjerë të intimiduara për të dhënë dëshmi. Bushka përfundoi fjalën e saj duke ritheksuar se ka vepruar gjithmonë me transparencë dhe integritet.