Burra që “blejnë” pushtetin me paratë e grave
Nga Jonida Velia
Të jesh grua në Shqipëri, është punë burrash. Kjo është një shprehje e dëgjuar shpesh në vendin tonë, ku duket se gjen vend në shumë situata, të cilat nisin që nga të drejtat bazë deri tek ato të drejta që për shumë kohë na kanë bërë të mendojmë se janë një “luks” që gratë s’e meritojmë. Kur flas për këtë të fundit kam në mendje gratë që duan të jenë vendimmarrëse në të tashmen apo të ardhmen e vendit, përmes politikës. Në fakt, duket si një realitet që i përket të shkuarës, pasi shohim vazhdimisht gra dhe vajza të pranishme si në Kuvend dhe në Këshilla Bashkiakë. Në Shqipëri, Kodi Zgjedhor kërkon që partitë politike të kenë një përfaqësim të barabartë gjinor në listat e kandidatëve, duke përfshirë 30% gra dhe vajza në çdo listë deputetësh, si një formë për të luftuar pabarazinë gjinorë në arenën politike.
Pushteti, gjinia dhe iluzioni i përfshirjes në politikën shqiptare
Politika në Shqipëri ka qenë prej kohësh e dominuar nga burrat. Megjithatë, hyrja e kuotave gjinore ka sjellë një rritje të dukshme të numrit të grave në Parlament dhe Këshillat Bashkiakë, por ky duket si një përfaqësim formal, pasi nuk është shndërruar ende në pushtet të vërtetë.
Në shumë raste, gratë vazhdojnë të shihen jo si udhëheqëse, por si statistika të partive politike për të përmbushur kërkesat ligjore. Normat patriarkale mbeten thellësisht të ngulitura në peizazhin politik, ku pushteti vazhdon të negociohet dhe ruhet kryesisht nga burrat, me gratë shpesh të përjashtuara nga proceset vendimmarrëse ose duke qenë të pranishme vetëm në një mënyrë “simbolike”.
Sa e vështirë është të jesh grua deputete në Shqipëri?
Për të marrë një pasqyrim të saktë të realitetit kemi intervistuar deputeten e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.
A është gara mes burrave dhe grave gjatë fushatës zgjedhore e drejtë dhe e barabartë?
“Politika ka qenë një terren i burrave, por me kohën dhe me punën e jashtëzakonshme të grave që kanë guxuar të hyjnë në politikë, gjërat janë përmirësuar dhe sot, fakti që një vajzë angazhohet në politikë nuk është më tabu, por edhe “trendy”, shpeshherë është një fitore e madhe. Padyshim, ka shumë vështirësi dhe gara shpesh nuk është e barabartë, për vetë faktin se burrat kanë akses dhe lidhje shumë të mëdha në politikë, terren dhe kanë gjithashtu akses në financa shumë më të mëdha se gratë.”
Në kuadrin ligjor, a është bërë mjaftueshëm për të garantuar të drejta të barabarta mes burrave dhe grave gjatë fushatës zgjedhore?
“Përsa i përket garës, në vitin 2008 është miratuar kuota gjinore si një masë e domosdoshme për realitetin shqiptar patriarkal, një kuotë gjinore që siguroi 30% të grave në parlament, ndërsa në këshillat bashkiakë është bërë e mundur të kemi 50%. Gjithashtu, edhe me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 2025, kjo kuotë u garantua. Nëse shihen raportet e ISP, organizatës që monitoron veprimtarinë e Kuvendit, del qartë që gratë dhe vajzat kanë një eficencë shumë më të madhe se burrat në Kuvend, duke filluar nga iniciativat ligjore, pjesëmarrja në diskutime, etj. Por kjo nuk mjafton; mbështetja e garës elektorale për gratë dhe vajzat duhet të jetë padyshim edhe financiare.”
A është e drejtë formula e ndarjes së burimeve financiare dhe a duhet të ketë një ligj të posaçëm që garanton mbështetje në këtë aspekt për vajzat dhe gratë gjatë fushatës zgjedhore?
“Këtu mund të jap shembullin e Partisë së Lirisë, e cila në Konventën e 27 prillit 2024 sanksionoi në Statut aksesin 50% të financave të partisë për gratë dhe vajzat kandidate gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është hera e parë dhe e para parti që ka sanksionuar me Statut këtë akses dhe mundësi për të fuqizuar ekonomikisht gratë kandidate në zgjedhje. Padyshim, do të duhet një rregullim ligjor që të garantojë mbështetje financiare. Modeli me 10% të burimit të KQZ, padyshim çdo burim që iu shkon vajzave dhe grave gjatë fushatës elektorale, duke pasur parasysh shpenzimet shumë të mëdha që ka fushata, derë më derë, por edhe me gjithë mjetet që kërkon fushata, çdo ndihmë do të ishte një mundësi më shumë për t’i mbështetur gratë dhe vajzat.”
Cilat janë disa nga sfidat kryesore që vajzat dhe gratë hasin financiarisht dhe a mendoni se partitë politike bëjnë mjaftueshëm për t’i mbështetur?
“Fushata ka një sfidë më vete, jo vetëm kandidimi, por edhe mbështetja financiare që duhet për gratë dhe vajzat dhe padyshim që partitë politike do të ishin të detyruara, në momentin që do të kishte një rregullim ligjor, i cili do t’i detyronte për t’i mbështetur financiarisht. Në këtë moment që jemi, mbetet në diskrecionin e partive për t’i mbështetur, jo vetëm gratë dhe vajzat, por edhe çdo kandidat.”
Por Erisa nuk është rasti i vetëm. Gratë dhe vajzat kandidate hasen me një sërë pengesash që vështirësojnë rrugëtimin e tyre politik.
Përtej kuotave
Kuotat gjinore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e përfaqësimit të grave në politikën shqiptare. Si një mekanizëm ligjor, ato kanë ndihmuar në sigurimin e një niveli minimal të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në vendimmarrje, nga Kuvendi deri tek Këshillat Bashkiakë. Por nuk mjafton.
Gratë dhe vajzat nuk janë thjesht numra për të plotësuar një kërkesë ligjore, ato janë udhëheqëse, kritike ndaj sistemit dhe zëra të komunitetit që përfaqësojnë, ndaj ato meritojnë jo vetëm një vend në fletën e votimit apo një ulëse në kuvend, por edhe fuqinë për të ndikuar në vendimmarrje. Megjithatë, barrierat e shumta që hasin, si mungesa e aksesit në financa politike, mungesa e trajnimeve, mospromovimi në media dhe mbështetja e dobët e partive, vazhdojnë të dëmtojnë potencialin e grave në politikë.
Kuotat janë një pikënisje e nevojshme, por ato janë shumë larg qëllimit të vërtetë. Një grua mund të shfaqet në një fletë votimi falë një kuote, por kjo nuk do të thotë se ajo ka mjetet, burimet ose platformën e domosdoshme për të udhëhequr në mënyrë efektive. Shumë kandidate hyjnë në zgjedhje pa ekipe fushate, pa programe të mirëfillta, ose pa akses në hapësira publike ku mund të shpalosin planin e tyre elektoral me votuesit. Shpesh, ekspozimi i tyre i vetëm është një paraqitje e shkurtër në televizion, që është në vetvete një komunikim i pamjaftueshëm i vizionit të tyre, ndaj është e vështirë të fitojnë besimin e publikut.
Edhe më shqetësuese është mungesa e trajnimeve që shumë kandidate gra marrin për t’u përballur në debate mediatike ose forume politike me presion të lartë. Pa përgatitje të mjaftueshme dhe rrjete mbështetjeje, ato shpesh përballen me kandidatë burra që përfitojnë nga një eksperiencë më e madhe, burime më të shumta dhe mbështetje nga partitë, duke krijuar një “lojë” në kushte aspak të barabarta.
Financimi i grave dhe vajzave kandidate
Sipas studimit “Gjinia, Paratë dhe Politika” të kryer nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” (EDM) me mbështetje e National Democratic Institue (NDI), 67% e kandidateve gra e financuan vetë fushatën e tyre elektorale, duke përdorur kursimet personale, të ardhurat nga anëtarët e familjes, miqtë ose burime të tjera informale. Edhe më shqetësuese është fakti se mbi 47% e kandidateve gra pohuan se nuk e dinin nëse partia e tyre politike kishte ndonjë mekanizëm për t’i mbështetur financiarisht. Ky fakt pasqyron jo vetëm mungesën e transparencës brenda partive, por gjithashtu një mungesë të gjerë të aksesit në informacionin bazë rreth financave të partive, mjeteve të mbledhjes së fondeve dhe burimeve të mundshme për financimin të fushatës.
Ky hendek nxjerr në pah një problem më të thellë: financat politike në Shqipëri nuk janë të barabarta për të dyja gjinitë. Sistemi aktual favorizon kandidatët burra, duke iu dhënë akses finanaciar, teksa shpesh gratë përjashtohen.
Mungesa e transparencës apo presioni kulturor bën shpesh që gratë të mendojnë se kërkimi i mbështetjes financiare nga vetë partia i përket vetëm burrave.
Kjo padrejtësi përkeqësohet nga mungesa e dispozitave ligjore që kërkojnë që partitë politike të ndajnë fondet publike në mënyrë të drejtë mes të gjithë kandidatëve. Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, për shembull, lejon që 10% e financimeve publike të shpërndahen për partitë që sigurojnë të paktën 1% të votës kombëtare, megjithatë në praktikë këto fonde shpesh mbeten të papërdorura dhe rishpërndahen te partitë kryesore. Kjo rishpërndarje e tyre forcon pabarazitë ekzistuese dhe nuk mbështet partitë më të vogla ose kandidatët e rinj, sidomos gratë, që nuk kanë mbështetje institucionale.
Sistemi aktual garanton në mënyrë efektive financimin publik për partitë e mëdha, ndërkohë që nuk ofron një mekanizëm të dedikuar për të siguruar që gratë të kenë akses të barabartë në fonde publike.
Duke njohur ndjeshmërinë dhe nevojën për trajtimin e menjëhershëm të kësaj çështjeje, EDM ka punuar ngushtë me forumet e grave brenda partive politike dhe po ndjek aktivisht një iniciativë ligjore në Kuvend. Kjo iniciativë ka për qëllim ndryshimin e ligjit të partive politike, për të kërkuar që të paktën 10% e fondeve publike vjetore të alokohen drejtpërdrejt për forumet e grave, duke ofruar mbështetje financiare për kandidate gratë.
Realiteti është i qartë: reformat ligjore janë të domosdoshme. Ashtu siç kuotat gjinore dikur dukeshin si një ide e paarritshme, por tani janë një element thelbësor i kuadrit zgjedhor të Shqipërisë, mekanizmat financiarë që synohen nga reformat në vijim, janë hapi i ardhshëm i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem politik ku gratë nuk janë vetëm kuota, por edhe zë që dëgjohet në Kuvendit e Shqipërisë.
“Barazia gjinore është çelësi që hap dyert e mundësive, duke i dhënë të gjithëve mundësinë të ndjekin ëndrrat e tyre, pa barrierat e paragjykimeve.”
Ndaj, nuk duhet të ndalemi!