“Burg për të më mbyllur gojën!” Salianji pas lirimit: Denoncova kartelet e drogës të lidhura me qeverinë, dënimi im ishte politik!
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, doli sot në një konferencë për media pas lirimit të tij me kusht nga burgu, duke e cilësuar të gjithë procesin si një dënim politik të mirëfilltë dhe një goditje ndaj opozitarizmit aktiv. Salianji vuajti një pjesë të dënimit të dhënë për akuzën e “kallëzimit të rremë” në lidhje me çështjen “Babale”, për të cilën ai vetë pretendon se ishte një denoncim publik dhe jo një kallëzim penal.
“Kam bërë 10 muaj burg për asnjë arsye, përveçse për të dhënë një mesazh ndaj kujtdo që del kundër qeverisë. Dënimi im ishte i pashembullt në 34 vite për këtë vepër penale”, u shpreh ai.
Salianji tha se burgosja e tij ishte e motivuar politikisht, pasi me denoncimin që bëri – sipas tij – preku një nga kartelet më të mëdha të drogës në vend, të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin aktual. “Burgosja ime ishte për të dhënë mesazh frikësimi ndaj kolegëve të mi dhe qytetarëve”, theksoi ai, duke e quajtur veten një sakrificë në dobi të interesit publik.
Ai kujtoi se vendimi për të hyrë vetë në burgun e Fierit ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme për të mos e zvarritur më tej procesin, por kritikoi ashpër faktin se drejtësia u përdor si instrument politik, vetëm pak muaj para zgjedhjeve, për ta izoluar dhe përjashtuar nga gara.
“U izolova para zgjedhjeve dhe dola pas tyre. Ky ishte qëllimi: të më hiqnin nga gara dhe të humbisja mandatin. Nuk kisha asnjë dënim plotësues, por u përdorën forma të tjera për të më ndëshkuar”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Salianji akuzoi Gjykatën e Lartë për manipulim të procesit gjyqësor, duke thënë se shorti për trupën që shqyrtoi rekursin e tij është falsifikuar dhe se kjo çështje është tashmë në duart e SPAK, ku ka bërë një kallëzim për hetim.
“Gjykata e Lartë hoqi një trupë të caktuar me short dhe vendosi një tjetër që kishte lidhje miqësore. E kam kallëzuar këtë rast në SPAK dhe do të ndjek çdo hap deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku pres me padurim përballjen për të vërtetën”, deklaroi ai.
Salianji konfirmoi gjithashtu se nuk do të largohet nga politika dhe se do të vazhdojë angazhimin në Partinë Demokratike, duke qenë një zë kritik ndaj qeverisë dhe një simbol – siç e përshkroi ai – i qëndresës dhe rezistencës ndaj regjimit që ndëshkon denoncuesit dhe jo kriminelët.
Ai tha se “jeta politike e tij vazhdon” dhe se kjo përvojë i ka dhënë më shumë bindje për të luftuar për një Shqipëri ku sundon ligji dhe jo frika politike.