Bum turistësh në Korçë! Gjeneron 2.5 milionë euro në fundvit

Në vetëm 10 ditët e fundit të vitit 2024, qyteti i Korçës dhe fshatrat turistikë si Boboshtica, Dardha dhe Voskopoja kanë gjeneruar të ardhura prej të paktën 2.5 milionë euro. Ky sukses e ka pozicionuar Korçën si një nga destinacionet më të preferuara turistike në vend, duke ndikuar pozitivisht në të ardhurat e operatorëve turistikë.

Fatmir Ceci, specialist i ekonomisë, shpjegon se përllogaritjet bazohen në shpenzimet minimale të një vizitori, që përfshijnë akomodimin, ushqimin dhe blerjet:

“Gjatë fundvitit, Korça ka një fluks të madh turistësh. Bazuar në kapacitetin prej 4000 shtretër, me një çmim mesatar prej 50 eurosh për person në natë, llogaritet që vetëm për akomodimin janë shpenzuar 2 milionë euro. Duke shtuar shpenzimet në restorante dhe blerjet, shuma arrin mbi 2.5 milionë euro. Një vizitor në Korçë shpenzon mesatarisht 5000 lekë të reja në ditë,” tha Ceci.

Sipas Ceci, çmimet e qëndrueshme dhe mbajtja e tyre në nivele të arsyeshme kanë kontribuar në rritjen e fluksit të vizitorëve. Operatorët turistikë, sidomos hotelet, kanë investuar për të rritur kapacitetet akomoduese dhe cilësinë e shërbimeve.

“Korça ka një trend pozitiv në rritjen e numrit të akomodimeve dhe investimeve në cilësi. Çmimet e arsyeshme kanë ndihmuar në tërheqjen e një numri të madh vizitorësh, duke bërë që Korça të përjetojë një boom turistik,” shtoi ai.

Të dhënat zyrtare të Bashkisë Korçë tregojnë se gjatë vitit 2024, qyteti dhe fshatrat turistikë janë vizituar nga mbi gjysmë milionë turistë vendas dhe të huaj, duke e konfirmuar këtë destinacion si një nga më të preferuarit për pushime dhe festime fundviti.

Rritja e turizmit në Korçë është një dëshmi e rëndësisë së investimeve të vazhdueshme dhe kujdesit për ruajtjen e standardeve, duke e bërë qytetin një pikë referimi për turizmin në Shqipëri.