Bullizmi, një plagë e heshtur që vret shumë!

Nga: Elda Voshi

Sërish një vetëvrasje tjetër! Sa shumë urrejtje, ironi, përbuzje, xhelozi në këtë botë! Sa shumë intriga, bullizëm, falcitet dhe gjitha këto idiotsi që po dominojnë mbi jetën, po përfundojnë me fundin tragjik VRASJE.

Një grua me katër fëmijë i dha fund jetës pa menduar se kë po lë pas, dhe kjo për shkak të bullizmit në rrjetet sociale.

Edhe vëllai vrau vëllain dhe më pas veten për xhelozi. E sa, e sa të tjera…

Po jetojmë në kohën e modernizimit dhe të avancimit të rrjeteve sociale përballë mendësive “boshe” që me një ekran në dorë janë të prirur të bëjnë gjithçka, mbushin përditshmërinë e tyre përtej sarkazmës me gjëra të neveritshme duke cenuar privatsinë e tjetrit, përtej ndjenjave, logjikës përtej gjithçkaje, me të vetmin synim: T’i kundërvihesh tjetrit, ndoshta dhe njeriut më të afërt.
Sot më së shumti po dominon gjuha e dhunës dhe e denigrimit të rrjeteve sociale duke sjellë trauma individuale, familjare dhe shoqërore.

Ku jetojmë? Si po trajtohen denoncimet dhe kërcënimet online nga sistemi i drejtësisë?

Sa po luftohet bullizmi në shkolla? Aty ku fëmijët si mbartës dhe përçues po preken më së shumti dita ditës.

E pra, është momenti i ndërgjegjsimit, ligësia të zëvendësohet me të dobishmen, se vetëm kështu do jemi të denjë për atë çfarë jemi dhe çfarë po edukojmë….