BSH: Hyrja në Tregun Unik të Pagesave lehtëson turizmin dhe eksportet, formalizon remitancat
Sot u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë zhvillua mbledhja e nëntë vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP), nën drejtimin e Luljeta Minxhozi, Kryetarja e këtij Komiteti dhe Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.
Përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në mbledhje merrnin pjesë dhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj si dhe përfaqësues nga Banka Botërore, Banka e Italisë dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga bankat tregtare, institucionet financiare jobanka, operatorët e skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.
Në fjalën e saj, zj. Minxhozi diskutoi mbi përmbushjen e objektivave të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, ku nga pikëpamja rregullative, u arrit përafrimi i kuadrit tonë me atë të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për shërbimet e pagesave PSD2, ndërsa jemi në fazën e fundit të aprovimit të ligjit për llogarinë e pagesave për shërbime bazike, edhe ky i përafruar me direktivën e BE-së.
Ajo u shpreh se Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave, ose njohur ndryshe SEPA, që prej vitit 2021, kur u bëmë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.