“Britania i damkos si kriminelë” – Studimi i Aurora Kapos: Në 500 shkrime, 56% e tyre “masakrojnë” shqiptarët
Një studim i prezantuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër, i realizuar nga Aurora Kapo, ka zbuluar se media britanike ka përshkruar shqiptarët kryesisht në mënyrë negative gjatë viteve 2021–2024.
Nga analizimi i 500 artikujve me fjalë kyçe si “Shqiptarët në Britaninë e Madhe” dhe “Shqiptarët”, rezulton se 55% e përmendjeve kanë pasur ngjyrim negativ, ndërsa vetëm rreth 29% ishin pozitive.
Fraza të tilla si “gangsterët shqiptarë” janë përdorur në 595 raste, ndërsa “shqiptarë të paligjshëm të ndaluar për t’u dëbuar” janë hasur 473 herë në artikuj të ndryshëm. Në retorikën politike, shqiptarët e ardhur ilegalisht janë përmendur 350 herë.
Studimi tregon se viti më i rëndë për përmendje negative ishte 2023, ku 56.73% e artikujve shfaqnin qëndrime të njëanshme dhe paragjykuese. Kapo thekson se mediat britanike janë fokusuar pothuajse ekskluzivisht te temat e krimit dhe emigracionit të paligjshëm kur raportojnë për shqiptarët, duke i lidhur automatikisht me terma si “kriminelë” dhe “të jashtëligjshëm”.
Po për të njëjtën periudhë kohe janë parë shkrimet për komunitetin Rumun në Britaninë e Madhe nga ku është zbuluar se komentet negative për vitet 2021-2023 janë shumë herë më të vogla krahasuar me komunitetin shqiptarë.
Në analizën e saj Aurora Kapo mbërrin në përfundimin se shkrimet e medias britanike tregojnë një fokus të theksuar në temat negative, veçanërisht krimin dhe emigracionin e paligjshëm, të cilat janë lidhur në mënyrë të vazhdueshme me komunitetin shqiptar.