Brenda operacionit izraelit “Luani në ngritje”! Si kontrabandoi Mossad armë në Iran dhe ngriti fabrikë sekrete dronësh
Izraeli ndërmori gjatë natës një nga sulmet më të ashpra dhe më të sofistikuara ndaj Iranit, duke goditur mbi 100 objektiva ushtarake e bërthamore në Teheran dhe qytete të tjera kryesore, dhe duke vrarë figura të larta të ushtrisë iraniane.
Ky operacion i koduar “Rising Lion” (Luani në ngritje) thuhet se ishte përgatitur prej vitesh nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), inteligjenca Mossad dhe industritë e mbrojtjes të vendit.
Burime të sigurisë zbuluan se komandot elitare të Mossad-it kishin kontrabanduar në Iran armë të sofistikuara e eksplozivë pranë sistemeve raketore tokë-ajër, të cilat u aktivizuan për të paralizuar mbrojtjen ajrore iraniane në momentet kyçe të sulmit. Sipas raportimeve, Mossad kishte krijuar një bazë sekrete dronësh në brendësi të Iranit, e cila lëshoi dronë me eksploziv për të shkatërruar lëshuesit e raketave pranë Teheranit.
Në kulmin e operacionit, rreth 200 avionë izraelitë bombarduan impiantet bërthamore të Natanzit dhe objektiva të tjerë strategjikë, ndërsa mbi 330 municione të ndryshme u përdorën vetëm në valën e parë të sulmeve. Mes të vrarëve raportohet të jetë shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, si dhe kreu i Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami.
Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmet goditën “zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit” dhe paralajmëroi se operacionet do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Sulme të tjera u raportuan në qytetet Shiraz, Kermanshah dhe Tabriz.
Operacioni shënon goditjen më të rëndë që ka përjetuar Irani që nga lufta me Irakun në vitet 1980, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm drejt një lufte të hapur në rajon.
Sipas ushtrisë izraelite, bombardimet depërtuan në zonën e nëndheshme të Natanzit, duke dëmtuar sallat e pasurimit të uraniumit dhe infrastrukturën mbështetëse. Përveç Natanzit, u sulmuan edhe impiantet bërthamore në Khondab e Khorramabad, si dhe baza ushtarake Parachin pranë Teheranit.
Ndërkohë, autoritetet iraniane raportuan për dëme materiale në objektet bërthamore dhe viktima civile në zonat e banuara të goditura nga sulmet, por nuk raportuan për rritje të niveleve të rrezatimit. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, akuzoi Izraelin për shënjestrimin e zonave civile dhe paralajmëroi hakmarrje.