“Brenda majit hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës”/ Balluku: Së shpejti, Shqipëria do të ketë 4 porta hyrëse nga ajri

Shqipëria do të ketë 4 porta hyrëse nga ajri, deklaroi zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Ajo theksoi se brenda muajit maj pritet të hapet gara ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës.

“Shqipëria do të ketë 4 porta hyrëse nga ajri, dhe prej vitesh tashmë po punojmë. Duke nisur nga aeroporti i Tiranës, ka pasur 13 mijë m2 ndërsa sot kemi 40 mijë m2.  Ne kemi një lajm shumë të mirë që të gjitha punimet civile në aeroportin e Vlorës, po shkojnë ashtu sic duhet, ne themi që në dhjetor të 2024 të mbyllen punimet, dhe në pranverën e vitit 2025 të nisin uljet e ngritjet. Por për të pasur portën e katërt, brenda muajit maj ne do të hapim garën ndërkombëtare për një aeroport të katërt në jug, i cili fillimisht u propozua në zonën e Sarandës, por kemi dakordësuar me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Aviacionin civil, që të jetë në zonën e Gjirokastrës.”

Sipas ministres Balluku, navigimi ajror duhet t’i përgjigjet të gjithë kërkesës që vijnë nga aeroportet apo kompanitë ajërore. Ndërkohë që Albcnotrol në 2022 ka nisur rekrutimet për kontrollorët e rinj.

“Pas një procedure transparente dhe një gare që udhëhiqet nga Eurocontrol, të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë hyrë në industri dhe kanë nisur trajnimi i tyre, ne parashikojmë që një pjesë të jenë gati në përfundim të këtij viti rreth 16 kontrollorë të trafikut ajëror që do të shërbejnë përsa i përket fluturimeve, ulje ngritjeve në zonën e Vlorës. Por gjithashtu do të jemi gati brenda këtij viti me të gjitha stafet inxhinierike që do të duhen për aeroportin e ri”.

Zhvillimi i linjave ajerore si dhe strukturës së aviacionit ka nxjerrë në pah nevojë për më tepër burime njerëzore të kualifikuara. Më tej ministrja theksoi se për herë të parë do të themelohet akademia ajërore.