“Brenda 10 minutash do shpërthejë” – Zv. Sekretari i Kuvendit zbulon mesazhin që çoi në evakuimin e Parlamentit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës është evakuuar paraditen e sotme pas një kërcënimi me bombë, pak përpara nisjes së seancës konstituive të planifikuar për orën 11:00. Lajmi është konfirmuar nga zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Arben Loshi, i cili tha se kërcënimi është bërë në gjuhën angleze përmes një telefonate.

“Sipas njoftimit, është kërkuar evakuimi sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosur në ndërtesë dhe e njëjta do shpërthejë brenda 10 minutash,” deklaroi Loshi.

Ndërkohë, Policia e Kosovës konfirmoi se kërcënimi është marrë përmes një sms-je në orët e paradites së sotme.

“Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë, të cilët së bashku me ekspertët përkatës për deminim janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

Për shkak të kërcënimit, seanca konstituive e Kuvendit – e 42-ta me radhë – është shtyrë për në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme.