Një ngjarje e rrallë dhe e papritur ka ndodhur në Brazil, ku një specie gjitari e konsideruar e zhdukur për më shumë se një shekull është rishfaqur në një park shtetëror. Bëhet fjalë për tapirin brazilian (Tapirus terrestris), gjitarin më të madh tokësor në Amerikën e Jugut, i cili ishte parë për herë të fundit në vitin 1914.
Shfaqja e tij është regjistruar nga kamerat e vendosura fshehurazi në parkun shtetëror Cunhambebe të Brazilit. Instituti Shtetëror i Mjedisit i Rio de Zhaneiros ka mbledhur 108 video dhe foto, duke zbuluar se jo vetëm një, por tre tapirë janë duke jetuar në këtë zonë.
Shkencëtarët e konsiderojnë këtë një zbulim të jashtëzakonshëm, pasi tregon se specie të rralla mund të mbijetojnë edhe në zona të prekura nga shpyllëzimi dhe urbanizimi. Tapiri brazilian është një simbol i biodiversitetit të vendit dhe një ndër katër llojet e tapirëve në botë, së bashku me tapirin e Baird-it, tapirin indian dhe tapirin e Pinçakut.
Një specie e kërcënuar nga zhdukja
Tapirët brazilianë janë të afërm me rinocerontët dhe mund të jetojnë 25 deri në 30 vjet, me një peshë nga 150 deri në 250 kilogramë. Ata jetojnë kryesisht pranë ujërave dhe janë notarë të shkëlqyer. Megjithatë, kjo specie është në rrezik zhdukjeje për shkak të shpyllëzimit, gjuetisë pa leje dhe urbanizimit të shpejtë.
Pylli i Atlantikut në rrezik
Parku Cunhambebe ndodhet në pyllin e Atlantikut, një ekosistem tropikal që mbulon pjesën më të madhe të bregdetit brazilian. Ky pyll konsiderohet si një nga ekosistemet më të pasura në botë, por është gjithashtu një ndër më të rrezikuarit, për shkak të shkatërrimit të vazhdueshëm nga aktivitetet njerëzore.
Rishfaqja e tapirit brazilian në këtë zonë është një lajm shpresëdhënës për mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve të rrezikuara në Amerikën e Jugut.