Braktisje dhe harresë në malësinë e Kurbinit! Vinjolla, fshati me resurse turistike i shndërruar në një vend pa shpresë. Rruga e amortizuar, banorët të izoluar nga erozioni
Fshati Vinjoll në malësinë e Kurbinit, dikur i njohur për resurset natyrore, historinë dhe mundësitë për zhvillim turistik, sot është thuajse i braktisur dhe i harruar nga institucionet shtetërore. Prej më shumë se 35 vitesh, banorët e kësaj zone nuk kanë parë asnjë investim të prekshëm, çka i ka detyruar shumë prej tyre të largohen në kërkim të një jete më të mirë.
Ajo që e bën edhe më dramatike situatën është fakti se fshati ndodhet në listën e 100 fshatrave turistike, por realiteti në terren është krejt ndryshe. Rruga kryesore është totalisht e amortizuar, dhe në sezonin me reshje, banorët shpeshherë izolohen për shkak të erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave.
Në Vinjoll kanë mbetur kryesisht të moshuar, të cilët jetojnë në kushte të vështira dhe ndihen të tradhtuar nga premtimet boshe të çdo fushate elektorale. Në disa raste, vetë banorët janë detyruar të mirëmbajnë rrugën për të mbajtur një lidhje minimale me zonat përreth, por kjo është bërë gjithnjë e më e pamundur për ta.
Situata ka sjellë reagime të forta edhe nga intelektualë të zonës, si Erjon Selmani, i cili pas një vizite në fshat u shpreh i tronditur nga gjendja në të cilën ndodhet ky vend me natyrë të mrekullueshme dhe potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Ai bëri thirrje që institucionet të kthejnë vëmendjen drejt malësisë së Kurbinit dhe të ndërhyjnë urgjentisht në përmirësimin e infrastrukturës.
Banorët e Vinjollës janë të bindur se nëse nuk ndryshon kjo situatë, fshati do të zhduket plotësisht, duke humbur kështu një nga perlat e natyrës dhe historisë së Kurbinit. Ata tashmë nuk presin më nga politikanët që i vizitojnë vetëm në kohë zgjedhjesh, dhe as që janë të gatshëm t’u hapin derën atyre që kërkojnë vota pa dhënë asgjë në këmbim.