Bota BE: Me plan të ri për integrimin dhe rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor

Ministrat e Ekonomisë të Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor mirëpritën planin e ri të BE për rritjen ekonomike e integrimin ekonomik të rajonit si një parakusht për progres në procesin e hyrjes në BE.

Në forumin e Ministrave të Ekonomisë, “Tregu i përbashkët rajonal -një hap drejt Tregut Unik të BE” të zhvilluar të martën, (26.09) në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit u diskutua  forcimi i ekonomive të vendeve të rajonit përmes përfshirjes në sferën ekonomike të BE. Diskutimet vunë në dukje kontekstin e ri gjeo-politik për përshpejtimin e integrimit rajonal dhe afrimit me BE.

Zgjerimi i BE me BP – një emergjencë gjeopolitike

Në forum të dyja palët, BE dhe BP u shprehën se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka shndërruar në një emergjencë gjeopolitike progresin e rajonit drejt hyrjes në BE. “Gjërat kanë ndryshuar. Në BE ka një bindje shumë të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor për BE. Besoj se nuk e teproj nëse them që sot Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian”, tha në fjalën e hapjes se forumit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, në përshëndetjen e tij, theksoi se “në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE në BP është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tone.” Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Olivier Becht, ministër i Tregtisë me Jashtë dhe Ekonomisë në Francë. “Ne kemi një objektiv, përshpejtimin e ndërlidhjes mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Do lehtësohet sektori privat dhe përshpejtohet procesi i anëtarësisë në BE”, theksoi ai në Tiranë.

Plani i ri ekonomik i BE për BP

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi bëri me dije detaje të këtij plani. “Plani i ri i BE për rritjen ekonomike do të përshpejtojë ritmin e konvergjencës social ekonomike të rajonit me BE dhe duke e bërë këtë, do të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në BE, Është koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të BP duke përfshirë integrimin tonë ekonomik. Konvergjenca ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE. Konvergjenca e BP është e ulët, me të ardhura për frymë midis 30% dhe 50% të mesatares së BE,” bëri me dije komisioneri i BE. Varhelyi. Fjala është për një paketë që “do të ofrojë përfitime të menjëhershme dhe do të stimulojë progresin në Ballkanin Perëndimor”, sipas Varhelyi.

Forumi i Ministrave të Ekonomisë të BE dhe të BP bën pjesë në serinë e takimeve parapërgatitore për Samitin e Procesit të Berlinit, 2023, që do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë, nën presidencën e Shqipërisë. Për herë të parë, që nga fillimi i Procesit të Berlinit në verën e vitit 2014, ky Samit do të zhvillohet në një vend që nuk është anëtar i BE. Proçesi i Berlinit është një nismë diplomatike e ish-Kancelares gjermane, Angela Merkel, që nisi në verën e vitit 2014 për t’i dhënë impulse të reja procesit të hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor./DW