Bosi i klanit “Miri” në Gjermani/ Shqiptarët më detyruan të trafikoja kokainë për të paguar borxhin e vëllait

Sammy Miri, kreu i klanit të rrezikshëm “Miri”, është paraqitur në gjyq në Gjermani nën masa të rrepta sigurie. 38-vjeçari u shoqërua nga forcat speciale dhe mjete të blinduara, ndërsa iu vendosën kufje dhe iu mbuluan sytë.

Miri akuzohet për trafik të sasive të mëdha të kokainës, akuzë të cilën ai e ka pranuar, por është shprehur se e ka bërë për shkak të presioneve nga një bandë shqiptarësh. Sipas tij, shqiptarët i kishin kërkuar të shlyente borxhin e vëllait të tij duke blerë drogë prej tyre dhe duke e shitur për llogari të bandës.

Ndërkohë, vëllai i tij është dënuar me 14 vite burg, ndërsa edhe vetë Sammy Miri rrezikon një dënim të gjatë. Vendimi për të pritet të jepet në mars të këtij viti.