Bombolat portokalli të mos përdoren/ Kreu i Zjarrfikëses: 90% e zjarreve ndodhin prej tyre
Me uljen e temperaturave, një numër i lartë qytetarësh i përdorin bombolat e gazit, jo vetëm për gatim, por edhe për t’u ngrohur. Në Tiranë, drejtori i shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, thotë se 90% e zjarreve në banesa ndodhin për shkak të rrjedhjes së gazit nga bombolat kryesisht prej atyre me ngjyrë portokalli.
Por çfarë duhet të ketë parasysh një qytetar që përdor një bombol gazi?
“Aty ku përdoret gazi, prat e pajisja duhet të kemi sinjalizues. Nuk ka kosto shumë të madhe, është një kosto shumë e lirë për qytetarët dhe është një pajisje që funksionon për shumë kohë. Nëse kemi rrjedhje gazi kjo pajisje të sinjalizon që ka rrjedhje gazi dhe në këto momente qytetari duhet të reagojë. Qytetari duhet të shkojë në të mbyllë bombolën e gazit dhe të hapë ambientin ta ajrosë. Mos të takojë aty asnjë çelës dritash, mos të bëjë asnjë veprim tjetër, mos të shkojë as me cigare në këto ambiente”, tha ai.
Në jo pak raste, rënie zjarri ka pasur edhe në pallate për shkak të mbingarkesës së energjisë elektrike. Goxhaj këshillon qytetarët dhe administratorët e pallateve se duhet të jenë të pajisur me fikëset me pluhur.
“Për energjinë elektrike zakonisht zjarret fillojnë në kasetat elektrike, pra atje ku shpërndahet energjia, qoftë në banesat familjare qoftë në pallate. Në të dy këto raste qytetarët është mirë që të kenë në banesat e tyre fikëse të zjarrit 6 kg me pluhur”.
Sipas Goxhajt, gjatë stinës së dimrit, vetëm në Tiranë zjarrfikësit kanë të paktën 3 raste në ditë të rrjedhjes së gazit në banesa.