Bombardimi i Iranit, ministri francez: Nuk kemi asnjë përfshirje në sulmin amerikan

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, në një postim në X, shprehu shqetësimin e fortë të Francës pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.

“Franca ka mësuar me shqetësim për sulmet e nisura nga Shtetet e Bashkuara kundër objekteve bërthamore iraniane dhe deklaron se nuk ka pasur asnjë përfshirje as në sulme dhe as në planifikimin e tyre”, theksoi Barrot, duke nënvizuar se Parisi u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje në mënyrë që të shmangin çdo përshkallëzim që mund të çojë në zgjerimin e konfliktit.

Ministri i Jashtëm francez vuri në dukje gjithashtu se Franca ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj të fortë ndaj armëve bërthamore të Iranit dhe është e bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje mund të arrihet vetëm përmes Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.