Nga: Glidona Daci
Koha të vështira kanë ardhur, gratë dhe vajzat në këtë vend kanë bërë beteja të ashpra për të fituar pak liri dhe pavarësi, për t’u ndjerë të barabarta me burrat.
Për të pasur të drejtën e fjalës dhe vendimarrjes. Gjithmonë kam thënë kemi emancipuar vajzat, por kemi harruar të emancipojmë djemtë. Ama kohët e fundit po shoh një gjë krejt tjetër dhe me keqardhje të madhe e them, që jo e keqja na vjen nga “meshkujt”, shumica e të keqes na vjen nga ne vetë.
Jemi ne, vajzat dhe gratë, që gjykojmë njëra-tjetrën, jemi ne, ato të cilat bullizojmë njëra-tjetrën. Jemi ne ato të cilat, nën petkun e të shprehurit të mendimit tonë lirshëm, gjykojmë një femër tjetër. Më vjen habi, si mund të gjykosh, përballesh, tallesh, bullizosh, ofendosh me fjalët më të rënda, një vajzë, cili është mëkati i saj? Secila nga ne, reagon në mënyra të ndryshme në situata të caktuara.
Në lëmën e madh të mediave sociale, nën petkun e anonimatit, apo skuthllikut, mllefit, urrejtjes pse dikush vepron ashtu siç e ndjen, ne marrim lirinë të “dhunojmë” një vajzë, pse dashuron ashtu si ajo di të dashurojë. Ne nuk jemi njësoj të gjithë, secila nga ne vepron ashtu siç dëshiron, jemi të lirë, nuk mund të gjykojmë askënd pasi nuk i kemi veshur këpucët e saj për të ditur arsyet pse dikush sillet në një mënyrë apo në një tjetër.
Në morinë e madhe të komenteve, të gjithë/ët bëjnë shenjtorin ose shenjtoren, të drejtin/en, të ndershmin/en dhe të tjera me radhë. Simpatia apo antipatia për dikë duhet të ketë edhe një limit. Boll gjykuat një vajzë pse “dashuron” deri në qelizat më të thella të shpirtit të saj. Askush nga ne nuk e di si dhe sa mund të ndjejë dikush për dikë, zemrën nuk ja shohim dot askujt, ama fjalët dhe sjelljet patjetër që po.
Një njeri që përpiqet të ulë dikë tjetër tregon shumë për karakterin e tij. Ajo që thotë “unë kurrë nuk do sillesha kështu se kam respekt për veten”, më besoni kjo tregon sa të “vogël” jemi. Të ulesh dikë për të lartësuar veten tregon mungesë të madhe vetvlerësimi dhe vetbesimi.
Boll gjykuat një vajzë, boll i betë moralin një vajze, jam kurioze, ju vajzat dhe gratë që nuk lini fjalë të “ndyra” pa thënë për një vajzë tjetër, vendoseni veten në vendin e saj për një moment, por në kushte dhe rrethana të njëjta, si do ndiheshit? Si mendoni se ndjehet familja e saj, duke parë dhe lexuar gjuhën e urrejtjes nëpër komente? Unë vetë nuk e di ç’do kisha bërë, ndoshta edhe më keq se Egli.
Vajza dhe gra, mësohuni të doni njëra-tjetrën, sepse na mjafton “fjalori i pasur dhe i kulluar që kanë meshkujt në drejtimin tonë”.