Bllokimi i TikTok në Shqipëri shtyhet për 9 ditë, platforma ende funksionale

Pavarësisht vendimit për ndalimin e TikTok në Shqipëri, platforma vijon të jetë e aksesueshme, megjithëse me vështirësi dhe shenja të një bllokimi të pjesshëm. Afati i fundit i vendosur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), që parashikonte ndalimin e plotë deri më 13 mars, është shtyrë për nëntë ditë të tjera për arsye teknike.

Sipas burimeve nga AKSK, procesi i mbylljes kërkon koordinim me ofruesit e shërbimeve të internetit dhe zbatimin e procedurave për bllokimin e aksesit nga pajisjet mobile.

Vendimi për ndalimin e TikTok-ut u mor pas vrasjes së një 14-vjeçari, ngjarje e cila, sipas qeverisë, lidhej me konfliktet e nxitura nga rrjetet sociale. Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Arsimit argumentuan se mbyllja e platformës ishte një masë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dhunshme.

Megjithatë, vendimi ka ngjallur debate, me kritikë që e konsiderojnë atë një masë ekstreme dhe të paargumentuar. Ekspertët e medias dhe të drejtave të njeriut kanë theksuar se TikTok nuk përmendet në të dhënat zyrtare të hetimit për vrasjen e adoleshentit dhe se qeveria po përdor këtë ngjarje për të justifikuar ndalimin e platformës.

Nuk dihet ende nëse vendimi do të zbatohet plotësisht apo nëse do të ketë rinegociim me kompaninë TikTok për të vendosur masa sigurie në gjuhën shqipe.