Opozita ka thirrur sot protestën kombëtare orën 12:00 në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.Ashtu si në çdo protestë kanë filluar të merren të gjitha masat dhe është krijuar kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.
Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Ndërkohë, si në çdo tubim, dyert e kryeministrisë janë blinduar me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Segmentet rrugore që janë të bllokuara që nga ora 10:00 deri në përfundim të protestës, janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.