Blerina Gjylameti nuk siguroi dot një mandat në Kuvend: Ne nuk bëjmë luftëra të vogla, por beteja të mëdha për jetët e njerëzve
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, ku nuk arriti të siguronte një mandat për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë, Blerina Gjylameti ka reaguar me një mesazh reflektues dhe falënderues në rrjetet sociale.
Në një postim në Facebook, Gjylameti u shpreh mirënjohëse ndaj 6148 qytetarëve që i besuan me votën e tyre, duke e cilësuar këtë si një përvojë të vlefshme dhe një “fitore të një lloji tjetër”.
“Nuk ka humbës në këtë garë — ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër,” shkruan ajo.
Gjylameti falënderoi gjithashtu ekipin e saj, familjen dhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen gjatë kësaj fushate elektorale. Ajo e quajti privilegj të madh të qenit pjesë e Partisë Socialiste dhe të një “familjeje të madhe që sfidohet për të ardhmen”.
Në fund të mesazhit të saj, ajo përcolli një qëndrim të fortë mbi mënyrën se si e koncepton angazhimin në politikë:
“Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për vetët tona.”
Postimi i plotë:
Të dashur miq, familjarë dhe mbështetës të mi në garën e 11 majit,
Çdo votë, çdo shprehje besimi, është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë.
Në këtë garë nuk ka humbës — ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër.
Të gjithë kemi fituar vazhdimësinë në rrugën drejt së ardhmes europiane.
Unë personalisht kam fituar zemrat tuaja, respektin tuaj, mbështetjen tuaj, dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse.
11 maji për mua ishte një fitore e një lloji tjetër: një përvojë e vlefshme, një garë sfiduese dhe një rezultat që më mbush me krenari.
Faleminderit secilit prej jush.
Faleminderit ekipit tim të palodhur, familjes sime të duruar, dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, për besimin dhe përkrahjen.
Sidomos në këto ditë të lodhshme e sfiduese, të mbushura me emocione, ne – më mirë se kushdo tjetër – e kuptojmë sa e vështirë është të mbash bashkë një familje të madhe si Partia Socialiste.
Beteja jonë vazhdon. Për angazhimet që kjo forcë politike ka marrë.
Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për vetët tona.
Mirënjohëse.
Këto zgjedhje, kjo garë, më kanë dhënë vetëdijen e plotë pse jam në politikë, pse në PS, dhe bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik.
Zgjedhjet mbaruan.
Sovrani foli.
Politika për njerëzit vazhdon.