BKT e angazhuar në fushatën e “11 majit”, zgjedh PS
ELBASAN- Edhe pse zyrtarisht nuk jemi në fushatë zgjedhore, të gjitha partitë politike i kanë ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Zakonisht në periudhë fushate zgjedhore, ka biznese që i deklarojnë hapur donacionet e tyre për partitë politike. Madje lista e këtyre “dashamirësve” depozitohet nga partitë që kanë marrë përfitimet edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në listën e këtyre bizneseve është “katapultuar” edhe Banka Kombëtare Tregtare. Edhe pse një bankë e nivelit të dytë, institucion financiar, pa asnjë detyrim apo qasje që të mbështesë partitë politike, BKT duket se i ka thyer të gjitha rregullat.
Ditën e Verës, më 14 mars, BKT mori përsipër që të organizonte sofrën e Elbasanit. Në sofër morën pjesë drejtues të lartë të bankës që shoqëronin drejtues të lartë të mazhorancës.
Në foto shfaqen CEO i BKT, Seyhan Pencablıgil, i cili është i ulurnë një tavolinë me ministrat Taulant Balla; drejtuesin politik të qarkut Arbjan Mazniku; kandidaten për deputete Bora Muzhaqi; ish-ministrin Damian Gjiknuri (dikur drejtues politik i qarkut); ish-ministrja e Arsimit dhe deputetja Evis Kushi dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja. Të ishte një darkë vërtetë për të “nderuar” festën, minimalisht do të kishte edhe përfaqësues të opozitës. Por jo! Takimi u kthye edhe më shumë në një takim politik kur drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla foli për karrierën e tij politike dhe falenderoi Elbasanin për mbështetjen që i kishte dhënë si deputet për 2 dekada me radhë.
“Edhe pse është një mbrëmje mes miqsh, jam shumë krenar që me Arbrin, me Gledin, me ekipin tonë kombëtar të Shqipëria 2030 këtu në Elbasan gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur si gjithmonë. Kështu që gëzuar të gjithëve dhe një dolli për Elbasanin.”
Jo vetëm kaq! Komentoi edhe kandidatët e opozitës!
“Kështu si jeni hallakatur ju sot, normale që do të jetë pak e vështirë. Unë flas për në fund të seancës. Në fakt, s’keni faj, u hallakatët që ditën e parë, imagjinoni si do të shkoni deri më 11 maj. Uroj që të arrini deri aty. Se në fakt, një gjë besoj që duhet ta themi, meqë ishte pjesë e diskutimeve gjatë gjithë ditës sot kjo çështja e listave. Ju keni ardhur më 11 maj me të njëjtën listë që u paraqitët në 2013 dhe si është ajo: bëj të njëjtën gjë, të njëjtën përgjigje do të marrësh. Më 11 maj i bie të merrni po 1 milion shuplaka, siç morët në vitin 2013.”
Pra më shumë se një festë, ishte kthyer në një mini-takim të strukturave të Partisë Socialiste në Elbasan, të miksuar me disa biznesmenë, dashamirës të maxhoranës.