Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka ankimuar ditën e sotme vendimin që pasoi me kontrollin e banesave të ish-gruas dhe partneres së tij.
Kujtojmë se më 9 mars Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish- gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.
Nga kontrolli i ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, e cila ishte në pronësi të partneres së tij janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.
Ndërkohë edhe në shtëpinë e ish-bashkëshortes, që ka filluar në orën 14:40 dhe ka përfunduar në orën 15:20 minuta, rezulton se nuk janë gjetur para, por se janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.
Në kërkesën e depozituar nga Ahmetaj, deputeti pretendon se duhet të ishte marrë leje nga Kuvendi për të ushtruar kontroll në shtëpinë ku jeton ai vetë. Sipas Ahmetajt, bashkëjetuesja e tij duhet të ishte informuar paraprakisht për këto kontrolle, por kjo gjë nuk ka ndodhur.