Biznesmeni shqiptar vritet me armë zjarri në Itali, gruaja e gjen të pajetë në kompani! Autori dyshohet të jetë një bashkatdhetar

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e së martës qytetin Lunata në Itali, ku një biznesmen shqiptar, Artan Kaja, është gjetur i pajetë brenda kompanisë ku punonte. Fillimisht, dyshohej për një vdekje natyrale, por hetimet zbuluan se 52-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.

Ka qenë gruaja e tij ajo që ka bërë zbulimin tragjik, pasi u alarmua nga vonesa e tij për t’u kthyer në shtëpi. Ajo e gjeti trupin e tij në një pellg gjaku brenda kompanisë “Smurfit”, ku ai punonte si kontraktor për trajtimin e paletave.

Pas një serie hetimesh intensive, policia italiane ka arrestuar një bashkatdhetar të viktimës si të dyshuar kryesor për krimin. Ndërkohë, arma e krimit ende nuk është gjetur, dhe hetimet vijojnë nga njësia hetimore e Karabinierëve.

Artan Kaja, i njohur si një sipërmarrës i respektuar, kishte ndërtuar një biznes të qëndrueshëm në Itali. Vdekja e tij ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivet që çuan në këtë akt tragjik.