Biznesmeni Bashkim Ulaj nis ndërtimin e resortit luksoz në Velipojë! Banorët në protestë bëjnë kallëzim në SPAK: Na grabiti tokën me dokumentet false
- 26 March, 2025
Banorët e Rrjollit në Velipojë kanë protestuar kundër ndërtimit të një resorti në afërsi të zonës së Ranës së Hedhun.
Ndërtimi i resortit luksoz është projektuar të kryhet nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Ai është i njohur për favoret me tenderat, ndërsa në fund të vitit 2024 mori lejen për ndërtimin e këtij resorti me 5 yje. Banorët akuzojnë se Bashkim Ulaj me një person tjetër të quajtur Fatmir Shpellzaj po u grabisin pronat 60 familjeve.
Ata kanë pasur edhe konfrontime me policinë dhe nuk kanë lejuar që puna të vijojë. Banorët shprehen se e gjithë kjo është bërë me dokumente të falsifikuara, për çka kanë bërë edhe një kallëzim në SPAK.
Ata theksojnë se kjo është toka e tyre, të cilën e kanë me dokumente që nga viti 1927. Gjithashtu, hedhin akuza për falsifikim ndaj ish-funksionarit të LSI-së dhe ish-drejtorit të Hipotekës së Malësisë së Madhe, Fatmir Shpellzaj.
Ky fshat turistik, me vila dhe hotele luksoze, do të ndërtohet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Banorët shprehen se nuk do të ndalen dhe se do ta mbrojnë edhe me gjak pronën e tyre.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ