Bizneset vendase e të huaja ankohen për mungesë punonjësish
Investitorët e huaj në Shqipëri shikojnë një përmirësim të klimës së biznesit, situatës ekonomike si dhe sistemit të drejtësisë në vend. Megjithatë sipas tyre mungesa e punonjësve mbetet një shqetësim që po thellohet çdo vit e më shumë.
Në një anketë të bërë nga shoqata e Investitorëve të Huaj, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është ngritur si shqetësim, dhe që është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar.
Konkretisht investitorët e huaj e kanë vlerësuar vetëm me 31 pikë nga 100 në total aksesin e tyre në fuqinë punëtore të kualifikuar. Ky vlerësim është në rënie me 7 pikë në raport me vitin e kaluar. Po ashtu në rënie është edhe vlerësimi për nivelet e kualifikimit të punonjësve më të rinj.
Protestuan ndaj kompanisë turke që i hoqi nga puna e s’u dha pagat, prokuroria Fier: Po kryejmë hetime për falimentim të provokuar
LEXO EDHE:
Protestuan ndaj kompanisë turke që i hoqi nga puna e s’u dha pagat, prokuroria Fier: Po kryejmë hetime për falimentim të provokuar
Mungesa e punonjësve prej kohësh është ngritur si alarm edhe nga bizneset vendase. Në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë mbi huamarrjen e sipërmarrjeve thuhet se kostot e prodhimit dhe të punës që lidhen me pagat si dhe mungesa e stafit të kualifikuar është në rënie gjatë këtij viti.
Sipërmarrja në vend vetëm në gjysmën e parë të këtij viti shpalli mbi 35 mijë vende të lira pune, duke u dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, ku problemi më i madh i mungesës së stafit ishte në industrinë përpunuese, në akomodim, tregti, ndërtim dhe më pas në fusha të tjera të ekonomisë.