Bizneset në Vlorë në protestë kundër nismës së Ramës: Po na shkatërron në kulmin e sezonit turistik!

Nisma e kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike nuk është pritur mirë në qytetin e Vlorës. Vetëm tre ditë pasi kreu i qeverisë paralajmëroi ndërhyrjen dhe u dha bizneseve një afat 48-orësh për t’u larguar nga hapësirat publike të zëna, reagimi ka qenë i menjëhershëm.

Pronari i një prej bizneseve në zonën e Lungomares, në një deklaratë për mediat, e cilësoi këtë vendim si “shkatërrues”, sidomos për faktin që po zbatohet në kulmin e sezonit turistik. Ai u shpreh se, në shenjë proteste, shumë prej operatorëve ekonomikë kanë vendosur të mbyllin bizneset përkohësisht.

“Është një goditje ekonomike e rëndë. Situata nuk është krijuar brenda natës – Kryeministri ka qenë shpesh këtu, ka ngrënë, ka pirë. Kjo ndërhyrje mund dhe duhej të ishte bërë përpara ose pas sezonit veror. Tani është vonë. Ky është një dëm i drejtpërdrejtë për turizmin dhe për ne si sipërmarrës,” – tha ai.

Ai shtoi se niveli i turistëve këtë verë nuk është ai i pritshmi dhe kjo situatë e vështirë po përkeqësohet edhe më tej nga aksioni i qeverisë.

“Turizmi sivjet është në rënie. Shtuar dhe prishjet, kostoja bëhet e papërballueshme. Nuk e pranojmë këtë situatë. Po shkojmë drejt mbylljes. Jemi gati për dialog, por jo për vendime të tilla të njëanshme gjatë verës,” – përfundoi ai.

Bizneset kërkojnë që çdo ndërhyrje të bëhet në mënyrë të organizuar dhe jashtë sezonit, në mënyrë që të mos cenohet aktiviteti turistik dhe ekonomia vendase. Ndërkohë, aksioni i qeverisë për lirimin e hapësirave publike është shtrirë edhe në qytete të tjera si Fieri dhe Durrësi, ku pritet të ndodhen inspektimet e radhës të Kryeministrit.