Bizneset e transportit ankohen për tarifat, Rama: Policia të garantojë funksionimin

Përfaqësues të bizneseve të transportit kanë ngritur shqetësimet e tyre për tarifat e larta dhe kohën e pamjaftueshme të imbarkimit në Portin e Durrësit, gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama.

Një ndër ankesat kryesore të ngritura nga biznesmenët ishte pagesa për çdo kamion që futet në port, si dhe fakti që koha prej tre orësh për imbarkim është e pamjaftueshme për përballimin e fluksit të automjeteve që duhet të futen në traget.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, kryeministri Rama theksoi se tarifat janë pjesë e funksionimit të infrastrukturës portuale dhe janë të pranishme në çdo port të botës. Ai përmendi se edhe portet italiane, si Bari apo Ankona, kanë kushte të ngjashme apo më të vështira.

“Këtu nuk është bulevard. Nuk vihet për të ecur, por për të marrë shërbime. Kjo infrastrukturë funksionon me tarifa. Po na gjete ndonjë port tjetër më mirë… Edhe në Bari, këtu është më lule”, tha Rama.

Megjithatë, ai pranoi shqetësimin për koordinimin me Policinë e Shtetit, duke thënë se ajo duhet të garantojë vijimësinë e operacioneve dhe të mos shkaktojë pengesa.

“Policia nuk mund të thotë ‘hajde në 7’. Ajo është këtu për të garantuar që operacionet funksionojnë pa ndërprerje”, u shpreh ai.

Në takim u hodh gjithashtu ideja për ndërtimin e një shkolle profesionale për shoferët, të cilën Rama e mbështeti, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe autoritetet portuale për realizimin e saj.