Bitcoin thyen rekord! Kriptomonedha arrin nivelin më të lartë historik, mbi 112 mijë dollarë

Bitcoin ka arritur një tjetër moment historik, duke kaluar për herë të parë kufirin e 112 mijë dollarëve, në një valë optimizmi që po përfshin tregjet financiare botërore. Të mërkurën në mbrëmje, kriptomonedha më e madhe në botë preku vlerën 112,052.24 USD, duke thyer rekordin e mëparshëm të shënuar më 22 maj (111,999 USD).

Kjo rritje spektakolare vjen mes kërkesës së qëndrueshme nga investitorët institucionalë dhe një klime gjithnjë e më miqësore ndaj aseteve digjitale. Bitcoin është rritur me mbi 18% që nga fillimi i vitit 2025, duke rritur më tej besimin në qëndrueshmërinë e tij afatgjatë.

“Bitcoin është i vetmi aset që bëhet më pak i rrezikshëm sa më shumë që rritet në madhësi,” u shpreh Anthony Pompliano, themelues dhe CEO i Professional Capital Management. Sipas tij, ndërsa kapitalizimi i tregut të Bitcoin ka kaluar në triliona dollarë, ai është bërë më i aksesueshëm për fondet më të mëdha në botë.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë ngritje janë politikat pro-kriptomonedhë të administratës Trump, të cilat kanë lehtësuar qasjen ndaj sektorit dhe kanë krijuar rrugë të reja financimi për industrinë digjitale.