“Bisha” e drogës nga Durrësi/ Ky është Adi Çoba, koka e kartelit që furnizonte Europën dhe planifikonte vrasje për llogari të “Pojës”

Adi Çoba, një nga emrat më të përfolur të trafikut ndërkombëtar të drogës, është identifikuar si koka e një grupi të fuqishëm kriminal të goditur në kuadër të megaoperacionit të zhvilluar së fundmi nga autoritetet shqiptare dhe italiane. Për herë të parë është publikuar edhe imazhi i tij.

I lindur më 7 gusht 1991 në Durrës, Adi Çoba, 34 vjeç, i njohur me disa nofka si “Bazholi”, “Bisha”, “i shëndoshi” dhe “Cigani”, rezulton të ketë drejtuar nga qyteti bregdetar një nga kartelet më të sofistikuara të trafikut të kokainës dhe heroinës me rrugë që kalonin nga Turqia, Amerika Latine dhe drejt Europës, kryesisht Italisë. Në dosjen hetimore të autoriteteve italiane theksohet se në janar të vitit 2022, Çoba ishte përfshirë në trafikun e 24.850 kilogramëve heroinë nga Shqipëria në Itali.

Çoba është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Elvis Doçit, të njohur si “Visi i Pojës”, nipi i famëkeqit Xhevdet Troplini (i njohur si “Poja”), për të cilët ka dëshmuar i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas dëshmisë së Dumanit, Adi Çoba – i identifikuar në biseda si “Bazholi” – ishte përfshirë jo vetëm në trafikun e drogës, por edhe në planet për vrasje. Në një rast, Dumani rrëfen se Çoba ishte përfshirë në një skemë për të vrarë një person të quajtur “Çaponi” në Itali, me qëllim që t’i bënte një nder Fatmir Troplinit, alias “Miri”, një nga drejtuesit e grupit.

Pjesë nga dëshmia e Dumanit tregojnë një rrjet të ngjeshur komunikimi të bazuar në aplikacionin e koduar Sky ECC, përmes të cilit Çoba dhe Troplini mbanin kontakt dhe koordinonin lëvizjet e tyre. Dumani konfirmon se Çoba ishte personi që merrej me lokalizimin e objektivëve dhe që i siguronte informacionet përmes chat-eve të fshehta.

Adi Çoba konsiderohet nga hetuesit italianë si “njeriu në hije” që kishte rol drejtues, pa ekspozuar veten, ndërsa e gjithë veprimtaria kriminale – nga trafiku i lëndëve narkotike, deri te planet për eliminime fizike – menaxhohej nga Durrësi.

Operacioni i përbashkët i Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve italiane ka vënë në shënjestër këtë grup të fuqishëm kriminal, i cili për vite me radhë kishte ndërtuar një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe heroinës, me lidhje deri në Amerikën Latine.