Bisedimet në Stamboll/ Zelensky jep detaje: Rusët u përpoqën të na frikësonin, por ne kërkojmë paqe të qëndrueshme dhe armëpushim 30-ditor

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë detaje të reja për bisedimet me delegacionin rus, të zhvilluara në Stamboll më 15 dhe 16 maj, duke theksuar se Ukraina nuk ka frikë nga dialogu dhe është e vendosur për një armëpushim 30-ditor.

Në një deklaratë zyrtare, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme për të zhvilluar bisedime direkte me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka dhënë urdhër për krijimin e një ekipi negociator të përhershëm dhe të zgjeruar, për të përfaqësuar vendin në të gjitha negociatat e ardhshme.

“Zhvillova një takim lidhur me përpjekjet tona diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, informoi mbi punën e delegacionit tonë dhe procesin e negociatave në Turqi. Takimet që u zhvilluan më 15 dhe 16 maj treguan para botës si angazhimin tonë për paqe, ashtu edhe nevojën për të ushtruar presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës,” deklaroi Zelensky.

Ai theksoi se rezultati më i rëndësishëm i këtyre bisedimeve ishte marrëveshja për shkëmbimin e 1.000 të burgosurve nga të dyja palët.

“Në fakt, rezultati më i rëndësishëm i këtyre takimeve ishte marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve në raport 1.000 me 1.000. Ekipi ynë po punon aktualisht mbi detajet e këtij shkëmbimi. Jam mirënjohës ndaj të gjithëve që kontribuojnë në këtë përpjekje,” tha ai.

Duke komentuar mbi atmosferën e bisedimeve, Zelensky bëri të qartë se Rusia kishte tentuar të përdorte taktika frikësuese për të dobësuar pozicionin ukrainas, por këto përpjekje nuk kishin funksionuar.

“Rustem Umerov, kreu i delegacionit në Turqi, u shpreh për detajet specifike të bisedimeve me rusët. Delegacioni ukrainas arriti të mbajë bisedimet në një atmosferë të denjë. Të gjitha përpjekjet ruse për frikësim u refuzuan. Ukraina këmbëngul në nevojën për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, me qëllim që të shpëtohen jetë njerëzish dhe të vendosen themelet e domosdoshme për diplomaci,” vijoi Zelensky.

Presidenti ukrainas njoftoi gjithashtu se ka urdhëruar formimin e një ekipi të përhershëm negociator, për të garantuar që vendi të jetë i përgatitur për çdo fazë të ardhshme të bisedimeve.

“Kam dhënë urdhër për krijimin e një ekipi kombëtar negociator të përhershëm dhe të zgjeruar. Jemi të gatshëm për një takim në nivel liderësh për të zgjidhur çështjet thelbësore. Ukraina nuk ka frikë nga bisedimet e drejtpërdrejta me Rusinë dhe është e rëndësishme që udhëheqja ruse të mos e zgjasë më tej luftën,” përfundoi ai.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, dhe shefi i kabinetit të presidentit, Andriy Yermak, informuan për kontaktet e ngushta me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Poloninë dhe Turqinë.

“Po koordinohemi me partnerët tanë pothuajse çdo ditë. Jam mirënjohës për mbështetjen,” shtoi Zelensky.