Bisedat në aplikacionin SkyEcc do shërbejnë si provë nga Prokuroria
Gjykata e Kasacionit ka arritur në përfundimin se të dhënat e përfituara nga komunikimet e koduara, si ato të platformës Sky ECC, mund të përdoren si prova në procedime penale, për aq kohë sa janë mbledhur në mënyrë të ligjshme dhe duke respektuar standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kjo përfshin respektimin e parimeve procedurale dhe të drejtave themelore të individëve, duke ruajtur balancën midis cenimit të privatësisë dhe nevojës për të garantuar sigurinë publike.
Gjykata gjithashtu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke legjitimuar shkëmbimin e të dhënave midis autoriteteve të huaja për hetime të krimit të organizuar, si dhe ka vlerësuar proporcionalitetin e ndërhyrjes në privatësinë e individëve kur ka indicie të forta për aktivitete kriminale të rënda. Ky vendim nënvizon rolin e rëndësishëm që teknologjitë e koduara luajnë në botën e kriminalitetit modern dhe nevojën për mjete të sofistikuara për të luftuar këto veprimtari.
Ky vendim i Gjykatës së Kasacionit Italian vjen në një kohë kur në Shqipëri debati mbi përdorimin e teknologjive të përparuara për hetimin e krimit është në qendër të vëmendjes.