BIRN: Kolegji fshikullon KLP për vendimmarrje “absolutisht të papranueshme”
Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi të premten shkarkimin nga detyra të prokurorit Kujtim Luli dhe denoncoi një vendimarrje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në favor të tij si “absolutisht të papranueshme” dhe në kundërshtim me ligjin.
Përmes një njoftimi për shtyp, trupa gjykuese e KPA bëri me dije se pasi e kishte marrë vendimin për Lulin më 3 tetor dhe kishte njoftuar se do ta shpallte atë më 6 tetor, subjekti i rivlerësimit kishte vënë në lëvizje Këshillin e Lartë të Prokurorisë përmes një kërkese për përfundimin e statusit të magjistratit për shkak të moshës së pensionit.
BIRN mësoi se Luli e kishte bërë kërkesën më 4 tetor dhe një ditë më pas, KLP u mblodh me urgjencë dhe e miratoi atë. Pas vendimit për përfundimin e statusit të magjistratit, ky vendim iu njoftua Kolegjit po me 5 tetor si nga KLP, ashtu edhe nga Luli, i cili kërkoi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për shkak se nuk e gëzonte më statusin e magjistratit.
Por KPA e konsideron këtë si të papranueshëm.
“Në këto kushte, kur vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kërkesa e subjektit të rivlerësimit kanë ardhur pasi trupi gjykues i Kolegjit e kishte marrë vendimin, ato janë absolutisht të papranueshme, sepse janë paraqitur jashtë çdo afati procedurial dhe pasi vendimi përfundimtar për procesin e rivlerësimit ishte marrë,” deklaroi KPA.
Po ashtu, Kolegji konstatoi se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për Lulin parashikon hyrjen në fuqi menjëherë, çka sipas KPA-së bien ë kundërshtim me ligjin 115/2016 që parashikon një afat 15 ditor si periudhë kur ndaj aktit administrativ mund të bëhet ankim.
“Me fjalë të tjera, vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorise nuk ka hyrë ende në fuqi”, citohet në njoftimin e KPA që sqaron se megjithëse ky argument nuk lidhet me moskonsiderimin e akteve të dorëzuara nga Luli, është vlerësuar i rëndësishëm për t’u sjellë në vëmendje të publikut.