Binjakët shqiptarë lihen në burg në Itali, akuzohen për dhunimin e pronarit të një qebaptoreje! Si nisi sherri pas një feste ditëlindjeje

Dy binjakë shqiptarë, 18 vjeç, janë lënë në burg nga autoritetet italiane pas arrestimit të tyre për dhunën e ushtruar ndaj pronarit të një qebaptoreje në zonën e Via Guarneri del Gesù. Sipas mediave italiane, ata dyshohen për grabitje dhe sulm fizik ndaj pronarit të lokalit.

Ngjarja ndodhi pas një feste ditëlindjeje ku të rinjtë ishin të dehur. Së bashku me një 17-vjeçar italian dhe disa persona të tjerë, ata shkuan në qebaptore, ku nisi sherri. Sipas dëshmisë së dy shqiptarëve, i pari që hyri në lokal ishte italiani 17-vjeçar, i cili kërkoi të përdorte tualetin, por pronari e refuzoi. Situata u tensionua kur pronari dyshohet se e kapi të miturin nga krahu, duke çuar në një reagim të dhunshëm.

“Italiani e goditi me grusht në fytyrë dhe e plagosi me unazat e dorës”, thanë binjakët shqiptarë në gjykatë. Ata mohuan të kishin armë me vete, duke u shprehur: “Askush nga ne nuk kishte thikë”.

Pas ngjarjes, grupi u largua drejt kopshteve publike, ku policia ndaloi tre të rinjtë. Pavarësisht se mbrojtja kërkoi masë më të lehtë sigurie, gjyqtari vendosi që ata të qëndrojnë në burg, duke theksuar se provat rrethanore janë të rënda dhe hetimi është ende në vijim. Në dosjen hetimore thuhet se nuk ka video nga ambientet e brendshme të qebaptores, por vetëm disa foto.

Avokati i të rinjve, Guido Priori, deklaroi se dinamika e saktë e ngjarjes nuk është përcaktuar ende dhe se klientët e tij nuk kishin rol në sulm.