Bill Clinton vjen sot në Shqipëri/ Policia publikon masat, bllokohen disa rrugë në kryeqytet

Në kuadër të vizitës në Shqipëri të ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, policia njofton se ka marrë një sërë masash duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Për sigurimin e rrugëkalimit të ish presidentit amerikan, policia njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore si edhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, me 3 dhe 4 Korrik, në Tiranë.

Më konkretisht, do të ketë bllokime dhe devijime në këto rrugë:

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.

Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë ditën e hënë, më 3 korrik, pasdite, ku në orën 19:00 do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19.05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar.Në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit.