Bilanci shqetësues i zjarreve në vend/ 16 vatra në 24 orë, 4 ende aktive. Elbasani më i prekur, dëmtohen…

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një bilanc shqetësues mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten ende aktive, ndërsa dy raste kanë shkaktuar dëme materiale në banesa dhe objekte bujqësore.

Vatrat aktive janë evidentuar në këto bashki:

-Elbasan: Në vendgrumbullimin e mbetjeve, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve. Gjatë ditës së djeshme u hodhën inerte dhe u bë kapsulimi i mbetjeve, ndërsa ekspertët kryen matje për ndotjen e ajrit. Puna vijon edhe sot.

-Finiq: Zjarri ndodhet mes fshatrave Grazhdan dhe Malçan. Situata është më e qetë, me intensitet të ulët. Zjarrfikësit dhe punonjësit pyjorë po monitorojnë vazhdimisht.

-Tiranë: Në fshatin Bulticë (njësia Vaqarr), zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i thyer e bën të pamundur kalimin e mjeteve, ndaj është kërkuar ndërhyrja e helikopterit Cougar.

-Has: Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj është përfshirë një sipërfaqe me pyll pishe. Era dhe terreni e vështirësojnë ndërhyrjen, por puna vijon.

Dëmet materiale:

-Fier (Seman i Ri): Një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u transportua në spital, ndërsa banesa pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.

Vorë (Fushë Prezë): Një hangar me bar u dogj, duke shkaktuar shkrumbimin e 1,600 dëngjeve bari. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e zjarrit.

Forcat e angazhuara në operacione:

-21 automjete zjarrfikëse

-190 forca operacionale

-35 efektivë të Forcave të Armatosura

-2 automjete zjarrfikëse ushtarake

-4 kamionë vetëshkarkues

-1 traktor me zinxhirë

-1 helikopter Cougar

-1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit

-29 automjete të firmave private

Ministria thekson se strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara maksimalisht në koordinimin e të gjitha operacioneve për menaxhimin e emergjencave nga zjarret.

Paralajmërim për rrezik të lartë

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet rrezik i lartë për zjarre pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë parashikohet një rrezik më i moderuar, por me zona lokale me nivel të lartë rreziku.

🔴 Thirrje për qytetarët:

Në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezikshmëri të shtuar, Ministria bën thirrje për kujdes maksimal dhe shmangie të çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr në natyrë.

Në rast konstatimi të flakëve apo tymit, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse.

Siguria dhe bashkëpunimi juaj janë thelbësore për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin.