Bilanc tragjik në rrugët e Shqipërisë: 9 viktima në një javë, mes tyre një 4-vjeçar dhe 5 të rinj
Bilanci i aksidenteve rrugore në Shqipëri gjatë javës së fundit ka qenë tragjik, me 9 persona që kanë humbur jetën, mes tyre një fëmijë 4-vjeçar dhe 5 të rinj. Aksidentet kanë ndodhur në disa akse kryesore të vendit, duke theksuar problemet e sigurisë rrugore.
Mëngjesin e 21 marsit, në Kukës, një 20-vjeçar humbi kontrollin e makinës dhe përplasi një 51-vjeçar me motor, i cili ndërroi jetë në spital.
Një ditë më parë, më 20 mars, një aksident tragjik në Fushë-Prezë mori jetën e katër të rinjve – dy vëllezër nga Borizana, kushëriri i tyre dhe një shok. Makina e tyre u përplas me një betoniere të ndaluar pa sinjalizim dhe shpërtheu në flakë për shkak të impiantit të gazit. Shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi, u arrestua së bashku me dy persona që e ndihmuan të largohej nga vendngjarja.
Në të njëjtën ditë, në aksin Burrel-Klos, një fëmijë 4 vjeç u përplas nga një furgon pasagjerësh dhe humbi jetën në spital. Po ashtu, në Bulqizë, një 64-vjeçar doli nga rruga dhe përplasi për vdekje një këmbësore.
Një tjetër aksident fatal ndodhi më 18 mars në fshatin Bërdicë të Shkodrës, ku një 25-vjeçar me motor u godit nga një automjet dhe vdiq në vend. Banorët protestuan duke kërkuar kufizues shpejtësie në zonë, por thanë se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.
Më 16 mars, një shofer përplasi një këmbësor 55-vjeçar në rrugën “Pogradec-Qafë Thanë” dhe u largua nga vendngjarja, por u arrestua një ditë më pas.
Përveç viktimave, gjatë kësaj jave janë shënuar edhe aksidente në Laç, Patok, Velipojë dhe Korçë, ku disa persona kanë mbetur të plagosur. Shkaqet kryesore mbeten shpejtësia e lartë, parakalimet e gabuara dhe mungesa e sinjalistikës rrugore. Pavarësisht numrit të lartë të aksidenteve, autoritetet ende nuk kanë marrë masa konkrete për përmirësimin e sigurisë në rrugë.