Bikini në vend të pankartave! Qytetarët mbushin bregdetin e Durrësit për 1 Majin
Simbolikës tradicionale të 1 Majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve, duket se po i zbehet kuptimi në Durrës, ku festa është shndërruar më shumë në një ditë relaksi sesa në një ditë proteste. Në vend të pankartave dhe thirrjeve për të drejtat e punëtorëve, bregdeti i qytetit është mbushur sot nga qytetarë të shumtë që kanë zgjedhur të kalojnë ditën pranë detit.
Pushues nga Durrësi dhe qytete të tjera kanë zbarkuar në plazhe, duke përfituar nga moti i ngrohtë dhe dielli pranveror.
Pamjet tregojnë njerëz të qeshur, veshur me rroba banje, që shëtisin buzë detit, shijojnë kafenetë e mbushura plot, apo kalojnë kohë me familjen dhe miqtë në restorante buzë Adriatikut.